Macron njofton largimin e trupave ushtarake pas 9 vjetësh nga Mali

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2022, 13:51 | Bota
Macron njofton largimin e trupave ushtarake pas 9 vjetësh nga Mali

Franca dhe aleatët e saj, do të tërheqin trupat e tyre nga Mali, pas pothuajse një dekade, ka njoftuar presidenti Emmanuel Macron.

Trupat janë përfshirë në luftën kundër militantëve islamikë në vend që nga viti 2013. Macron tha se vendimi për t'u larguar pasoi një prishje të marrëdhënieve diplomatike. Forcat do të ridislokohen diku tjetër në rajonin Sahel të Afrikës.

“Ne nuk mund të mbetemi të angazhuar ushtarakisht përkrah autoriteteve de-facto, strategjinë dhe synimet e fshehura të të cilave nuk i ndajmë”, tha Macron në një konferencë shtypi në Paris, të enjten.

Ai hodhi poshtë pretendimet se tërheqja ishte një pranim i dështimit dhe këmbënguli se Franca mbetet e përkushtuar për të luftuar kryengritjet islamike në rajon. Ai shtoi se Nigeri kishte rënë dakord të presë disa nga forcat që tërhiqeshin.

“Franca ka luajtur një rol unifikues në këtë mobilizim ndërkombëtar në favor të Sahelit”, tha ai. "Ne do të vazhdojmë të sigurojmë këtë rol unifikue"s. Tërheqja e planifikuar, e cila pritet të ndodhë në një periudhë katër deri në gjashtë muaj, u ra dakord në një takim të liderëve evropianë dhe afrikanë në Pallatin Elysée.

Në një deklaratë të lëshuar të enjten në mëngjes, vendet e përfshira në Task Forcën Tabuka të udhëhequr nga Franca, ranë dakord të përcaktojnë plane se si të mbeten të përfshirë në mënyrë aktive në rajon, veçanërisht në Niger dhe në vendet e Gjirit të Guinesë, deri në qershor 2022.

Pothuajse 5000 trupa franceze janë vendosur në rajonin e Sahelit për të luftuar kryengritjet islamike, si pjesë e Operacionit Barkhane dhe rreth 2400 prej tyre janë të vendosura në tre baza në Malin verior. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos