Maja më e lartë e globit kthehet në një kosh gjigand mbeturinash

Nga A2 CNN
30 Maj 2023, 17:24 | Bota

Një video nga Himalajet, e cila nuk tregon për suksese të ndonjë grupi alpinistësh por provon se edhe maja më e lartë e globit është shndërruar në një “kosh gjigand mbeturinash”, është duke bërë xhiron e rrjetit.

Video është publikuar nga Luc Boisnard, një person me mision për të pastruar vargmalin malor, i cili thotë se alpinistët janë duke hedhur mbeturina në akullnaja.

Alpinisti, i cili ishte pjesë e një ekspedite që pastroi 3.7 ton mbeturina nga Makalu, maja e pestë më e lartë në botë dhe Annapurna, e dhjeta më e lartë, themeloi Himalayan Clean-Up.

Kjo është një fushatë pastrimi për të rritur ndërgjegjësimin për ndotjen e Himalajeve dhe në një ekspeditë të mëparshme në vitin 2010 ka larguar 1 ton mbeturina nga Everesti.

Pamjet nga ekspedita tregojnë Boisnard dhe ekipin e tij duke ecur nëpër grumbuj mbeturinash, ku ka shishe plastike, jastëkë sanitarë dhe tenda të braktisura.

Pas çdo shkëmbi gjen shumë shishe oksigjeni, teneqe, kanavacë dhe këpucë. Është vërtet e tmerrshme”, tha francezi, duke shtuar se 45% e mbetjeve ishin plastike.

Ndërkohë, vlen të theksohet se autoritetet nepaleze në vitin 2014 futën në fuqi një ligj, i cili i detyron alpinistët të lënë një “kapar” për mbeturinat përpara ngjitjes së tyre në Himalaja.

Tarifa është 528,000 rupi nepaleze ose 3238 paund për Everestin dhe 396,300 (2428 £) për majat e tjera të larta. Nëse alpinistët zbresin 8 kg nga mbeturinat që prodhojnë gjatë ngjitjes, paratë rimbursohen, por masa është cilësuar si joefektive.

Një analizë e vitit 2022 nga Universiteti Lincoln përcaktoi se Skema e Depozitimit të Plehrave (GDS) "nuk i ka përmbushur objektivat e dëshiruara në menaxhimin e mbetjeve, veçanërisht për shkak të nivelit të ulët të pranimit nga palët e interesuara dhe nivelit të ulët të mbështetjes së qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos