
Betejë dronësh mes Rusisë dhe Ukrainës. Breshëria e sulmeve ajrore nuk ka ndaluar për të tretën ditë radhazi në Kiev, me shpërthime, viktima e të lënduar të raportuara në kryeqytet. Ushtria ukrainase njofton se ka shkatërruar më shumë se 20 dronë të lëshuar nga rusët në Kiev. Shpërthime dhe kaos ka pasur edhe në Moskë. Ministria ruse e Mbrojtjes akuzon Ukrainën se ka lëshuar “një sulm terrorist” me 8 dronë ndaj rajonit kryeqytetas. Mbrojtja ajrore ruse ka shkatërruar 5 prej tyre, ndërsa 3 të tjerë kanë rënë pranë një zone të banuar.
“Mbështetja ushtarake për Ukrainën thjesht zvarrit aktivitetet ushtarake, por nuk mund të ndikojë rezultatin e operacionit special ushtarak. Duke përdorur armët e NATO-s, ata që janë në pushtet në Kiev vijojnë të zhvillojnë sulme ndaj zonave të banuara dhe të kryejnë sulme terroriste ndaj civilëve në Rusi. Ushtria jonë është vendimtare në kundërpërgjigjen e tyre ndaj veprimeve të militantëve ukrainas”, tha Sergei Shoigu, ministër i Mbrojtjes i Rusisë.
Një ligjvënës në Moskë bëri të ditur se dronët kanë fluturuar mbi lagjen rezidenciale ekskluzive Rubliovka, ku gjendet edhe rezidenca e presidentit Vladimir Putin dhe ajo e numrit dy të këshillit të sigurisë kombëtare, Dmitry Medvedev. Kreu i grupit të mercenarëve Vagner, Yevgeny Prigozhin, sulmon ministrinë ruse të Mbrojtjes duke thënë se nuk është në gjendje të mbrojë vendin nga dronë ukrainas.
Kremlini ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit, duke konfirmuar se presidenti Putin vijon punën si normalisht dhe se është informuar për atë çfarë ka ndodhur. Ukraina ka reaguar lidhur me dronët e rrëzuar në Moskë duke mohuar çdo përfshirje.
Sakaq, presidenti Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të përditshëm njoftoi se është përcaktuar koha kur do të zhvillohet kundërofensiva e ushtrisë së tij ndaj forcave pushtuese ruse për të rimarrë kontrollin mbi të gjithë territorin e Ukrainës. Megjithatë, nuk bëri publike datën e saktë për të mos pasur surpriza nga forcat e Moskës. (A2 Televizion)