Shpenzimet për makinën zënë një vend me peshë në buxhetin familjar dhe me rritjen e çmimeve, sidomos te nafta, shqiptarët po gjejnë zgjidhje për të shpëtuar nga faturat e majme. 3 në 4 autovetura që qarkullojnë në vendin tonë përdorin naftën si lëndë djegëse. Për 1 mijë kilometra në muaj, një makinë me cilindrat të vogël, shpenzon mesatarisht 16 800 lekë në muaj, rreth 30% e pagës mesatare.
Regjistrimi i makinave me benzinë gjithashtu është reduktuar me rreth 10% gjatë muajve janar-shtator 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Benzina i kushton individëve mesatarisht 16 200 lekë në muaj, për 1 mijë km.
Për shkak se gazi kushton më lirë, rreth 8500 lekë në muaj, shqiptarët po preferojnë makinat që kanë të vendosur një impiant gazi. Nga ana tjetër, përdorimi i makinës elektrike mund të ishte një zgjidhje, pasi shpenzon mesatarisht 2700 lekë energji elektrike në muaj, por kleçka qëndron te investimi fillestar, pasi këto makina kushtojnë më shumë se 25 mijë euro.

Konsumi i naftës ka rënë me 13%, ndërsa qytetarët po zgjedhin alternativa të tjera për transportin personal. Transporti publik nuk është praktik dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri, makina po kushton në mënyrë të papërballueshme, ndërsa zgjidhja po gjendet te biçikleta, monopatet dhe të ecurit në këmbë. (A2 Televizion)