Makinat e vjedhura, policia “kreh” importin, atentate me mjete të tregut të brendshëm

Nga A2 CNN
2 Maj 2022, 14:18 | Kronikë
Makinat e vjedhura, policia “kreh” importin, atentate me mjete

Pas operacioneve të shtuara të policisë së Tiranës mbi makinat e vjedhura që futen në vendin tonë, një problematikë shqetësuese vijon të mbetet vjedhja e tyre brenda Shqipërisë dhe përdorimi në ngjarje kriminale.

Vetëm vitin që lamë pas u denoncuan të vjedhura rreth 70 automjete, ndërsa shumica prej tyre, 50 u vodhën në kryeqytet. Sipas policisë së Tiranës, zonat më të prekura nga vjedhjet e makinave janë Yzberishti, Unaza e Re, Fresku, por edhe më në brendësi si Myslym Shyri Zogu i Zi apo dhe Komuna e Parisit. Por më shumëse sa vetë vjedhjet policia është përballur me përdorimin e këtyre automjeteve në disa ngjarje kriminale. Burime pranë unifromave blu thanë se grupet veprojnë në zona të ndryshme për automjetet ku Tirana dhe Durrësi mbeten pikat më të preferuara për t’u goditur ndërsa targat merren në qytete të tjera.

Pothuajse në të gjitha atentatet mafioze në Shqipëri përdoren automjete të vjedhura të cilat digjen pas eliminimeve për të humbur gjurmët. Ka pasur dhe raste në të cilat makinat e vjedhura të dyshuara të përdorura në ngjarje kriminale janë hedhur në liqenin e Shkopetit.

Në vitin 2019 në sektorin C, gjatë një operacioni shpëtimi të polumbarëve të RENEA-s u gjetën 4 makina të zhytura në liqen, të cilat dyshohej se ishin përdorur për vepra kriminale. Së fundmi, grupet kanë arritur deri aty sa nuk lënë më as gjurmë të automjeteve të përdorura në krime. Këtu mendohet se pas atentateve në pjesën më të madhe të rasteve çmontohen e më pas shiten për pjesë. Fushë Kruja dhe Durrësi njihen si qytete ku kryhet kjo veprimtari.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos