
Mbi 2000 banorë të 3 fshatrave të Bashkisë Maliq vuajnë mungesën e infrastrukturës rrugore, çka ka bërë që këtë të martë të dalin në protestë. Bëhet fjalë për fshatrat Kakaç, Shqitas dhe Çaushli.
Banorët thonë se prej 30 vjetësh vuajnë mungesën e rrugës, kjo për shkak të mungesës së investimeve në këtë rrugë që lidh këto tri fshatra. Rruga është mjaft e amortizuar, duke sjellë vështirësi jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe të këmbësorëve, e shumë më tepër të nxënësve të cilët vijnë nga fshatrat përreth në shkollën e fshatit Shqitas.
Nga ana tjetër, kryeplaku i fshatit, Lulëzim Krasta, nga njëra anë pranon mungesën e investimeve në infrastrukturën rrugore, por nga ana tjetër tha se rruga ka pësuar amortizim edhe për shkak të dy investimeve madhore të kryera në këto fshatra, si kanalizimet e ujërave të zeza dhe ujin e pijshëm.
Ndërkohë, situata është akoma më problematike në brendësi të fshatrave, ndërsa banorët e zonës premtojnë përshkallëzim të protestës. (A2 Televizion)