Mallrat false “pushtojnë” Anglinë, sekuestrohen artikuj me vlerë 870 milionë paund

Nga A2 CNN
4 Korrik 2023, 08:45 | Aktualitet

Një sasi rekord e artikujve të falsifikuar me vlerë rreth 870 milionë paund është sekuestruar nga policia në Britaninë e Madhe.

Më shumë se 580 ton rroba, drogë, duhan, cigare elektronike dhe bombola me oksid azoti u gjetën në 207 kontejnerë transporti në Mançester.

Policia tha se aksioni "monumental" shënoi konfiskimin më të madh të mallrave “fake” në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, më i madhi në Evropë në gati dy dekada dhe një nga më të mëdhenjtë globalisht.

U deshën dy javë dhe më shumë se 100 persona - polici, ekspertë markash dhe një kompani sigurie që të hapnin kontejnerët dhe të konstatonin veshjet dhe pajisjet e rreme.

Kontejnerët u gjetën në periferi të zonës Cheetham Hill, ndërsa tashmë po hetohet për burimin e mallrave false dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë aktivitet.

Detektivi Christian Julien tha se operacioni Vulcan e vendosi policinë e Mançesterit "në tre vendet e para në mbarë botën për sekuestrim të sendeve të falsifikuara”.

"Kriminelët po fitojnë shuma të mëdha parash nga kjo tregti, e cila po derdhet për të nxitur më tej kriminalitetin, shfrytëzimin dhe mjerimin jo vetëm në Mançester, por në mbarë botën”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos