Manastirliu mesazh urimi për Krishtlindje: Krenare për sakrificën e mjekëve dhe infermierëve

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2020, 13:25 | Aktualitet
Manastirliu mesazh urimi për Krishtlindje: Krenare për sakrificën

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka uruar për Krishtlindje të gjithë shqiptarët, personelin mjekësor, dhe punonjësit e qendrave të përkujdesit shoqëror në vend.

Në urimin e saj, përmes një videomesazhi, në këtë vit të pazakontë për shkak të pandemisë, Manastirliu vlerëson të gjithë personelin shëndetësor dhe këdo që ka kontribuar në përballimin e kësaj sfide.

“Gëzuar dhe një falënderim nga zemra; çdo mjeku, infermieri, laboranti, epidemiologu, urgjentisti, farmacisti, çdo sanitare, çdo shoferi, çdo punonjësi të sistemit tonë shëndetësor, që spitalet, qendrat shëndetësore, autoambulancat, i keni kthyer në shtëpi të dytë. Gëzuar Krishtlindjen, dua t'i uroj çdo edukatori, kujdestari, punonjësi social, psikologu në të gjitha qendrat tona të perkujdesit social”, uron Manastirliu.

Në videomesazhin e saj, Manastirliu thotë se rruga drejt të nesërmes është e shtruar me shpresë, duke shtuar se kur të kujtojmë vështirësitë, do të shohim se forca që na shtyu përpara ishte dashuria për njëri-tjetrin. “Një ditë, kur të kthejmë kokën pas, e të kujtojmë të gjitha vështirësitë që kjo kohë na përballi, do të shohim se forca që na shtyu përpara ishte dashuria për njëri-tjetrin, për familjen, për t'ia dalë së bashku, për të kapërcyer edhe këtë sfidë dhe për t'u ringritur edhe më të fortë. Rruga për të nesërmen është e shtruar me shpresë”, tha Manastirliu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos