
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në Kuvend ka deklaruar se janë kontraktuar doza vaksine anti-COVID për 800 mijë qytetarë, duke bërë me dije se janë parapaguar 2,9 milionë dollarë për marrëveshjen me Pfizer, krahas parapagimit në instrumentin COVAX.
“Marrëveshja me Pfizer ishte përmbyllja e përpjekjes së pandalur për asnjë moment gjatë këtyre kohëve për sigurimin e 500 mijë dozave vaksinash që së bashku me marrëveshjen e Covax, me mundësimin pra të 1 milion e 140 mijë doza vaksinash, ne kemi tashmë të kontraktuara doza vaksinimi për 800 mijë qytetarë, duke filluar me grupet prioritare. Qeveria shqiptare ka marrë masa në kohë për nënshkrimin e kontratave me të parën kompani që dispononte autorizimet e përdorimit të vaksinës. U angazhuam financiarisht në parapagimin e marrëveshjes së Pfizer-it dhe tashmë kemi paguar rreth 2.9 milion dollarë, si dhe kemi parapaguar në instrumentin e Covax-it për të garantuar sigurimin e vaksinave në një kohë të shpejtë”, tha Manastirliu.
Duke e konsideruar shëndetin të parin në piramidën e vlerave, Manastirliu theksoi se janë siguruar mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore, medikamentet dhe është rritur numri i testimeve me qëllim këputjen e zinxhirit të infeksionit.
“Ia kemi dalë t’u sigurojmë stafeve mjekësorë të gjitha mjetet e mbrojtjes personale njësoj si në çdo vend tjetër, ia kemi dalë të shtojmë numrin e testimeve, të hapim qendrat e testimit të shpejtë në komunitet. 51 pika testimi janë sot në të gjithë territorin dhe lehtësojnë kryerjen e testit duke krijuar mundësinë e këputjes së zinxhirit të infeksionit. Me punë e pa fjalë ia kemi dalë të sigurojmë të gjitha medikamentet për trajtimin e simptomave Covid, me punë pa fjalë paket e trajtimit ambulator anti-covid mbështet falas qytetarët për format e lehta dhe të moderuara të sëmundjes”, tha Manastirliu.
Manastirliu ka nënvizuar se spitali i ri i Fierit, i financuar nga Republika e Turqisë ka filluar dhe do të mbarojë brenda afateve të vendosura.
“Me financimin e Republikës së Turqisë mike, puna ka filluar për ndërtimin e një spitali me kapacitet 150 shtretër në Fier, i projektuar si një spital i cili do të ofrojë shërbime të nivelit të lartë për kirurgjinë, urgjencën, sëmundjet interne dhe gjithashtu dhe një pavijon dedikuar sëmundjeve infektive, të pajisur me aparaturat e fjalës së fundit të teknologjisë. Ky spital do t'i shërbejë qytetarëve shqiptar si të gjithë spitalet publike”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë tha se gjatë pandemisë u shtua flota e respiratorëve, monitorëve, pajisjeve mjekësore dhe 36 autoambulanca të reja ju shtuan flotës anti-covid, duke mundësuar trajtim në kohë për çdo rast urgjence. (A2 Televizion)