
Duke folur në emisionin “Absolut 4” për ambicien e kryeministrit Rama për një mandat të tretë, gazetari Mentor Kikia u shpreh se nëse do e pyesnin a ka arsye për ta votuar Ramën, ai do përgjigjej që arsyeja kryesore për të mos votuar kryeministrin, është vetë ai.
Sipas Kikisë, te kreu i qeverisë e tremb Uni i theksuar, që mund të sjellë pasoja të rënda për demokracinë.
“Nëse do më pyesni a ka arsye për ta votuar Partinë Socialiste do thoja që po, por nëse do më pyesni a ka arsye për ta votuar Edi Ramën do thoja që arsyeja për të mos votuar Ramën, është vetë Edi Rama. Gjëja që i trembem realisht është Uni që e thekson edhe te statusi “PS jam unë, qeveria jam unë”. Ne jemi djegur me Unin që nuk dihet sa kohë do të duhet të rikuperohemi dhe mbështetja e një Uni të fuqishëm do të jetë me pasoja të rënda për demokracinë tonë. Ne nuk kemi nevojë vetëm për kanale dhe rrugë, kemi nevojë për hapësira të tjera. Në këtë rast, unë mendoj që këto hapësira janë realisht të kërcënueshme pikërisht nga Uni.”, u shpreh Kikia.
Po ashtu, gazetari shtoi se premtimet në fushata janë një tele-komedi në Shqipëri dhe sipas tij kjo gjë nuk do ndryshojë derisa të ketë kërkesë llogarie nga qytetarët dhe mediat.
“Kjo historia e premtimeve ështe qesharake pasi në Shqipëri asnjëherë politikanët, e çfarëdolloj niveli nuk janë përballur me premtimin që kanë bërë, nëse e mbajtën apo jo. Në fund të mandatit kanë dalë gjithmonë duke tundur flamurin për atë që kanë bërë. Asnjëherë nuk iu është thënë, këtë e bëre, këtë se bëre. Pra, ka munguar procesi llogari dhënës. Shoqëria jonë nuk ka qenë asnjëherë aktive në këtë drejtim. Premtimet janë fantastike, dhe më pas zhduken. Historia e premtimeve, tele-komedi e madhe në Shqipëri. Ky është i pari procesi zgjedhor që po nxirren nga arkivat premtimet. Gjëja e rëndësishme që duhet të instalojmë si shoqëri është procesi i llogari dhënies. Nëse nuk arrijmë ballafaqim, nuk e ndalojmë dot atë që gënjen.”, shtoi Kikia. (A2 Televizion)