
Mbi 34 mijë shqiptarë vijojnë të jenë të prekur nga Covid-19, numër ky i konsiderueshëm që ka ngritur edhe shqetësimin se si këta persona do ta ushtrojnë të drejtën e votës, më 25 prill. Deri atëherë, shifra mund të jetë disi më e reduktuar, por bëhet fjalë për numra që mund të jenë përcaktues në disa mandate. Ky fakt ka shqetësuar partitë politike.
“Sigurisht Kodi Zgjedhor nuk parashikon procedura të posaçme në këtë drejtim, pra mundësinë e votimit të këtyre shtetasve jashtë qendrave të votimit, është një problem që normalisht duhej të adresohej”, shprehet Ivi Kaso, përfaqësues i PD në KQZ.
Qeveria duket se nuk e ka pasur fare në konsideratë çështjen dhe u kap në surprizë nga deputetët.
"A ka parashikuar Komiteti i ekspertëve mënyrën se si do të votojnë personat të cilët në kohën kur do të zhvillohen votimet do të jenë me Covid 19?", pyet deputeti Korab Lita.
“Për mënyrën se si mund të organizohet votimi për të sëmurët të cilët në atë periudhë do të jenë me Covid, akoma nuk e kemi marrë në shqyrtim. Faleminderit që na e vendosët në vëmendje”, iu përgjigj Mira Rakacolli.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga ana e tij është duke analizuar mundësitë dhe eksperiencën qe mori nga procesi i para pak ditëve në Kosovë. Një grup pune që shkoi atje të dielën, ka hartuar një raport se si votuan personat e diagnostikuar me Covid-19.
"Organi drejtues i KQZ i ngarkuar nga ligji për hartimin e akteve normative po shikon dhe po eksploron të gjitha mundësitë e kuadrit rregullator. Në fakt, Kodi zgjedhor në nenin 2 parashikon Insitucione të posaçme të votimit që janë burgjet, vendet e paraburgimit, spitalet si edhe institucionet e tjera shëndetësore ku mund të ushtrohet e drejta e votimit", shprehet Muharrem Çakaj.
Modeli i ndjekur në Kosovë nuk konsiderohet i duhur nga ana e opozitës shqiptare.
“Një gjë është që shtetasi të shkojë në qendrën e votimit në mënyrë anonime le të themi në momentin që ai zgjedh në kushtet e fshehtësisë së plotë dhe tjetër gjë është që përfaqësuesit e pushtetit të shoqëruar me përfaqësuesit e opozitës t'i paraqiten në shtëpi”, deklaron Ivi Kaso.
A2 CNN kërkoi një qëndrim nga përfaqësuesi i mazhorancës në KQZ për këtë çështje, por ai nuk pranoi të përgjigjej.
Koha deri në 25 prill është sa e gjatë dhe e shkurtër dhe krahas risive teknologjike, KQZ duhet të menaxhojë edhe riskun që Dita e Demokracisë të mos kthehet në një rishpërthim të pandemisë. (A2 Televizion)