Pse e do PS “provën” e tretë?, Pëllumbi: Kemi reforma për të përfunduar, Krasniqi: Qeveria shet propagandë, nuk punon

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2021, 21:38 | Politikë
Pse e do PS “provën” e tretë?, Pëllumbi: Kemi reforma

Në emisionin e së enjtes në “Absolut 4” është diskutuar ambicia që ka shpallur kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste për të fituar një mandat të tretë në zgjedhjet e 25 prillit, duke e bërë atë për herë të parë të vetmen forcë që nga nisja e demokracisë që drejton vendin për 12 vite me radhë.

Sekretar organizativ i PS, Arben Pëllumbi renditi disa nga arsyet se përse socialistët kërkojnë një mandat tjetër. Ai përmendi reformat e realizuar deri tani dhe ato që janë duke u përmbushur dhe shtoi se socialistët e kanë treguar se i përballojnë sfidat si pandemia dhe tërmeti dhe për këtë arsye kanë ende për të dhënë për qytetarët.

“Duam të vijojmë me punën, me reformat që kemi nisur. Reformat kanë nisur të japin rezultate, por disa të tjera janë ende për të përfunduar. Besoj se në të gjitha fushat kemi bërë reforma dhe kemi arritur rezultate, te disa më shumë dhe disa më pak. Ne nuk kërkojmë një mandat për inerci, por besojmë se kemi ende për të dhënë në të mirë të qytetarëve. Kemi treguar si në menaxhimin e tërmetit dhe pandemisë që ne dimë t’i bëjmë shumë mirë këto punë dhe kemi arsye për t’i kërkuar votën elektoratit”, tha Pëllumbi.

Analisti Afrim Krasniqi e komentoi ndryshe çështjen e kërkesës së kryeministri për një mandat të tretë. Ai tha se ky mandat kërkohet nga Edi Rama dhe jo Partia Socialiste.

Pasi renditi disa të dhëna për matricën ligjore të qeverisë dhe drejtimin e saj në 5 muajt e fundit, Krasniqi tha se fakti që ekzekutivi shet propagandë tregon që ai nuk punon dhe nuk funksionon.

“Është normale që çdo parti të kërkojë të fitojë zgjedhjet. Kryeministri kërkon një mandat të tretë jo Partia Socialiste. Ka një projekt personal të kryeministrit dhe mënyra e drejtimit të qeverisë është personale. Matrica ligjore e qeverisë aktuale është realizuar në masën 42%, vitin e kaluar ka qenë 47%. Kur një qeveri cakton se do të miratojë këto akte dhe nuk i miraton imagjino pastaj të thuash se sa është bërë puna apo reformat. 5 muajt e fundit të drejtimit të qeverisë, 84% të mbledhjeve e ka drejtuar zv/kryeministri. Sepse kryeministri e kalon ditën me vizita, duke dorëzuar çelësa, tapi, që janë detyrë e nëpunëse. Dhe fakti që qeveria shet propagandë,  do të thotë që nuk punon, nuk funksionon.

Kur bënë kurbën e votimit në Shqipëri në vitin 91-96 duhet të merrje 1.2 milionë vota për të fituar zgjedhjet dhe për të marrë mazhorancën. Vitet e fundit pragu ka rënë në 750-800 mijë vota. Pra ka rënë pragu pasi është rritur numri i qytetarëve që janë larguar dhe i atyre që janë zhgënjyer nga partitë politike”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos