
Karrigia e presidentit ka qenë më e lakmuara për politikanët shqiptarë, deri para se të zhvishej nga kompetencat për t’u kthyer në rol ceremonial. Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu ishin krerët e shtetit me fuqi më të mëdha sesa e njëjta zyrë gëzon sot.
Marrëveshja Rama-Berisha e vitit 2008, i uli gradat Presidentit të Republikës, duke e kthyer në një post për të dalë në pension politik. Por Bamir Topi, atëherë në detyrë, prishi traditën. Ai ishte i pari president që pas mbarimi të mandatit iu rikthye politikës aktive, duke krijuar një parti të re, me të cilën garoi në zgjedhje, ndonëse pa sukses.
Pasues i Bamir Topit në Presidencë u bë Bujar Nishani. Në fund të mandatit 5-vjeçar, ai u rikthye në familjen e tij politike, duke u zgjedhur kryetar i këshillit kombëtar të PD-së. Bujar Nishani ia dorëzoi çelësat e presidencës Ilir Metës, që ende pa bërë betimin, tregoi sa ngushtë i rrinte kostumi që po tentonin t’i vishnin.
Historia e Metës në postin e presidentit ka qenë më larg prej të gjithë paraardhësve, në raport me protokollin e zyrës që i kërkon të jetë mbi palët. Përballë institucionit thirri protestë kundër Qeverisë, ndërsa kthimet e ligjeve, nga përjashtim, u bënë kryefjalë, për të kaluar deri në refuzim ministrash.
Nëse për Bamir Topin, pati akuza si puçist për grusht shteti, ndërsa për Nishanin si mbështetës të PD-së, ndaj Metës u iniciuan dy nisma për shkarkim, ku e fundit është drejt fjalës finale, asaj të Gjykatës Kushtetuese.
Protagonizmi prej sfidanti i këtyre pesë viteve, ka shuar çdo habi për kthimin e tij në politikë. Gjatë këtij mandati, Ilir Meta tregoi se ndonëse me kompetenca të reduktuara, zyra e Presidentit të Republikës nuk është paradhoma e një pensionisti. (A2 Televizion)