
Njësia Antikorrupsion po verifikon dhënien e një leje ndërtimi në rrugën e Rinasit, pa u përmbushur kushtet, tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë një konference për mediat ku publikoi disa raste korrupsioni të evidentuar nga njësia Antikorrupsion, një agjenci e re ngritur nga qeveria për të hetuar në mënyrë administrative korrupsionin në administratë.
“Kemi ngritur një grup për shkeljet nga bashkitë të planifikimit të territorit, sidomos në zonat bregdetare. Gjykatat Administrative kanë marrë kompetencat e kryebashkiakëve, duke rivendosur në afat leje zhvillimore, të cilat janë vite me vonesë nga planifikimi. Rivendosja në afat e lejeve të ndërtimit të skaduara nga gjykatat, kur ato janë refuzuar nga bashkitë janë të patolerueshme. Do të investohem personalisht për të vënë në lëvizje autoritetet përgjegjëse”, tha Manja. “Nëse ne jemi të parët për të thyer ligjin, mendojeni çfarë mbetet për të tjerët”.
Manja bëri publike 5 raste në total, 3 prej të cilave në Kadastrën e Durrësit, në të cilën, tha Manja, ka edhe raste te reja. “2 rastet e para kanë të bëjnë me dhënien e lejeve të legalizimit në kundërshtim me ligjin. Printohen leje legalizimi duke mos respektuar ligjin. Rasti i tretë, është printuar leja dhe më vonë janë bërë dokumentet”, tha ministri i Drejtësisë.
Ai bëri publikë edhe dy raste të tjera, ku një nëpunës në doganën e Korçës, ka arritur të bëhet pjesë e saj përmes dokumenteve shkollore të falsifikuara. Ndërsa rasti i fundit është evidentuar në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor, një rast ryshfeti, “Kemi kallëzuar nëpunës dhe një sekser, i cili njollos veprimtarinë e këtij institucioni model”, tha Manja. (A2 Televizion)