
“Ndarja e Berishës me Bashën nuk më çudit shumë. Kam qenë shumë i befasuar nga një marrëdhënie aq e gjatë dhe aq okulte, nga një flirt politik 16-17-vjeçare. Njerëzit që nuk dinë të duhen, nuk dinë as të ndahen. Ka qenë një nga marrëdhëniet më hipokrite në politikën shqiptare”.
Kështu u shpreh në "Dita jonë", Astrit Patozi, ish-koordinator i Bindjes Demokratike, teksa foli për problemet e PD-së. Ai theksoi se skenari më i mirë për PD-në është ndarja e menjëhershme.
“Kam përshtypjen që e kam thënë i pari këtë. Shpëtimi i vërtetë dhe mundësia e ringritjes së PD-së është ndarja e menjëhershme. PD-ja është përballë një realiteti të pamohueshëm, ekzistencës së dy entiteteve politike. Sa më shpejt që ta pranojë këtë realitet, aq më të lehtë do ta ketë për ta kapërcyer”.
PD-ja po korr sot atë që ka mbjellë vetë, një kurs arkaik, kryesisht në 8 vitet e fundit të Bashës, por janë në paketë së bashku me Berishën”, tha Patozi.
Por kush mund të merrte fatet e PD-së? “Gjithkush mund ta bënte këtë, por alternativat që kanë dalë kanë qenë të papërfillshme. Njerëzit që garojnë duhet të jenë faktorë politikë. Ne mund të mos e kemi fare ndërmend sot emrin, por ai del përmes një gare normale. Agonia e PD-së do të zgjasë, pasi Foltorja është e pangopur të mjaftohet me ndarjen, do ta pushtojë PD-në”, u shpreh Patozi.
Sa i përket rolit të presidentit Meta dhe deklaratat e tij ndaj Bashës, Patozi u shpreh se ai ka një rol figuranti në këtë betejë. “Meta ka një rol figurant në këtë betejë. Ndikimi i tij te demokratët është shumë i zbehtë. Ai është i prirur të anojë nga Foltorja për shkak edhe të problemeve të përbashkëta që ata kanë. Megjithatë, nuk ka ndikim”, u shpreh Patozi. (A2 Televizion)