
Qeveria e Maqedonisë së Veriut vijon konsultimet lidhur me propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas presidentit dhe liderit të opozitës, tani po takon partitë shqiptare që janë në opozitë. Shefi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut thotë se plani “Macron” adreson shqetësimet e ngritura për ruajtjen e identitetit gjuhësor dhe historik, teksa konfirmoi se vijat e kuqe të vendosura nga parlamenti nuk shkelen.
Opozita pretendon të kundërtën dhe oferta e liderit Hristijan Mickovski për kryeministrin ishte që ta refuzonte propozimin në mënyrë që VMRO-DPMNE të hiqte dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, qeveria e Shkupit pritet të zhvillojë konsultime dhe me shoqërinë civile. Pas përmbylljes së këtij procesi, kryeministri Kovaçevski do ta dërgojë propozimin në Kuvend dhe në fund pritet ta firmosë duke zhbllokuar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, jo vetëm për vendin e tij, por edhe për Shqipërinë. (A2 Televizion)