Marina e SHBA zbulon me mijëra armë ruse e kineze të fshehura në bordin e një anijeje

Nga A2 CNN
9 Maj 2021, 21:29 | Bota

Marina e SHBA ka sekuestruar një dërgesë të madhe armësh zjarri të zbuluar në bordin e një anijeje në Detin Arabik, të cilat në mënyrë të paligjshme do të dërgoheshin në Jemen.

Flota e pestë amerikane, me qendër në Bahrejn, bëri të ditur në një deklaratë të dielën, se kryqëzori USS Monterey zbuloi armët në bordin e një anijeje me vela në Lindjen e Mesme.

Një zyrtar amerikan bëri të ditur se armët ngjasojnë me dërgesat e mëparshme të cilat janë përgjuar që kishin destinancion rebelët Houthi në Jemen.

AP raporton se, sipas një hetimi fillestar, dyshohet se anija është nisur nga Irani. Ndërkohë, misioni i Iranit në OKB nuk iu përgjigj kërkesës së AP mbi këtë ngjarje, ndërsa Teherani ka mohuar furnizimin me armë të rebelëve në të kaluarën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos