
Shqipëria dhe Greqia po dobësojnë lidhjet, të paktën në një drejtim, atë të marrëdhënieve ekonomike. Eksodi i kapitalit grek, vërehet në shumë fusha, e më dukshëm te investimet.
Nga më shumë se 1.2 miliard euro në 2017, stoku i investimeve helene arriti në vetëm 249 milionë euro vitin e shkuar, duke u tkurrur kështu me rreth 80 për qind.
Largimi i vijueshëm i kompanive greke, kryesisht në sektorin bankar dhe atë të telekomunikacionit, e ka pozicionuar fqinjin jugor në vendin e nëntë, pas vendeve si Franca, Austria apo Bullgaria.
Dobësimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve vërehet edhe te shkëmbimet tregtare. Vitin e shkuar, Greqia u rendit e treta pas Italisë dhe Turqisë.
Referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave, në harkun e viteve 2017-2020, numri i ndërmarrjeve me kapital grek në Shqipëri është pakësuar me 143 të tilla. (A2 Televizion)