
Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, teksa foli në A2 për mbledhjen e qeverisë së Kosovës dhe asaj shqiptare, pak ditë më parë në Tiranë, theksoi se tashmë është kaluar nga marrëveshjet, te vendimet konkrete.
Më tej, Cakaj foli konkretisht për marrëveshjet mbi Luginën e Preshevës. “Jemi në një situatë tjetër, meqenëse jemi zhvendosur prej premtimeve dhe zotimeve, në një periudhë me vendime konkrete në mbështetje të Luginës së Preshevës, këtu nuk po flas vetëm për marrëveshjen e fundit të nënshkruar me Kosovën për ngritjen e fondit ndërshtetëror për mbështetjen financiare të Luginës, por një varg vendimesh që kemi marrë. Nga marrja e përgjegjësive për mbështetje financiare të Këshillit Kombëtar shqiptar, mbështetje të një numri të projekteve të propozuara nga autoritetet lokale në Luginën e Preshevës, marrëveshja e përgjegjësive për 25 tituj shkollorë, po ashtu edhe marrja e përgjegjësive për financimin e të gjithë librave për nxënësit e Luginës së Preshevës. Përpjekja jonë për të hapur konsullatën e përgjithshme në qytetin e Bujanocit, ku kemi ndërmjetësuar për dy marrëveshje të rëndësishme atje. Një është marrëveshja e Luginës së bashkuar, ku i gjithë spektri politik i Luginës së Preshevës ka marrë pjesë në zgjedhje me një listë të përbashkët, gjë që dëshmon se pavarësisht faktit se atje mund të ketë shumë parti shqiptare, megjithatë kur vjen çështja te interesat kombëtare ka vetëm një faktor shqiptar. E dyta, kemi ndërmjetësuar marrëveshjen për koalicionin e shumicës shqiptare në komunën e Bujanocit.
Të gjitha këto janë çështje të ekzekutuara tashmë. Edhe tekstet shkollore janë shpërndarë falas edhe koalicionet kanë ndodhur dhe si rrjedhojë kemi suksesin e shqiptarëve. Paratë për zyrat janë ndarë. Jemi në proces në dy gjëra, e para hapja e konsullatës në Bujanoc, pasi deri tani nuk kemi pëlqimin e Serbisë. Unë kam dërguar shumë letra për përshpejtimin e procesit. Nga ana tjetër, me Kosovën vetëm se kemi nënshkruar marrëveshjen për krijimin e fondit ndërshtetëror për mbështetje financiare të Preshevës dhe këto janë dy procese teknike që duhet të plotësohen përpara se të funksionalizohet fondi plotësisht”. U shpreh Cakaj. (A2 Televizion)