Marrëveshja detare me Greqinë, Andoni: Shqipëria të respektojë sovranitetin e saj, siç kanë bërë paraardhësit

Nga A2 CNN
27 Gusht 2020, 11:07 | Aktualitet
Marrëveshja detare me Greqinë, Andoni: Shqipëria të

Duket sikur në Mesdhe çështja e nxehtë e definimit të kufijve detarë ka arritur një pike kulmore.

Greqia, pas marrëveshjeve me Egjiptin dhe Italinë, kërkon diçka të tillë edhe me Shqipërinë dhe Turqinë. Por specifikat në këtë rast janë të ndryshme, dhe analisti Ben Andoni i nënvizon për A2.

“Problemi më i madh i Greqisë nuk është marrëveshja me Shqipërinë, por ajo me Turqinë. Ndaj këtyre vendeve Greqia ka gjithsesi një problem. Kemi 3 koncepte që i mbivendosen njëra tjetrës. Deti territorial, shelfi kontinental dhe zonat ekonomike. Ishujt grekë nuk përmbajnë këto parametra dhe i gjithë problemi grek është njohja  e ishujve si shelfe kontinentale, ndërkohë që ishujt me hapësirë jo të madhe dhe me jetë ekonomike të ulët si ato përballë Himarës kanë specifika të tjera, dhe përparësia i jepet gjithmonë shelfit kontinental, Himarës, Sarandës etj”, thotë Andoni.

Sipas tij “është e pamundur në logjikën e të drejtës ndërkombëtare që grekët të pretendojnë për Shqipërinë dhe Turqinë parimin e 12 miljeve” dhe jo normale përmendja e marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin, nga momenti që ishujt grekë janë larg nga këto vende. Arsyeja e vërtetë e këtij aktivizmi grek vjen nga rezervat e mëdha të gazit në Egjeun lindor.

Sipas analistit, gjithsesi, çështja do të shkojë në Gjykata të ndryshme sipas prevalencës të qasjes mes vendeve. “Në qoftë se problemet do të jenë kryesisht diplomatike, do shkohet në Gjykatën e Hagës, në qoftë se janë probleme të mirëfillta teknike do të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të arbitrazhit të problemeve detare, në Hamburg.

Për Andonin, është e rëndësishme që Shqipëria të respektojë sovranitetin e saj. “Pa qenë nostalgjik për atë kohë, mund të themi se qëndrimi i shtetit shqiptar gjatë komunizmit ka qenë i drejtë dhe sovranist, që ka rënë ndërkohë nga pala shqiptare për hir të kushteve të jashtëzakonshme që Greqia ka vendosur vazhdimisht mbi Shqipërinë. Shqipëria të respektojë sovranitetin e saj ashtu siç kanë bërë paraardhësit e saj”.

Në lidhje me një tjetër marrëveshje të nxehtë, atë Kosovë- Serbi, Andoni shprehet qartësisht se ajo duket ende e largët, nga momenti që kryeministri serb Vucic mohon njohjen reciproke.

"Marrëveshje ekonomike si korridori hekurudhor dhe hapësira ajrore do të trumbetohen si arritje të marrëveshjes, ndërkohë që duhet të rridhnin pas njohjes reciproke", thotë ai .

 Ndërkohë, në një moment ku Serbia po rikthehet sërish si eksportuesi kryesor në Kosovë, duke kaluar Shqipërinë dhe për pak muaj edhe Maqedoninë e Veriut, Prishtina dhe Beogradi duhet të dakordësojnë çështje të tjera. “Kosova duhet të marrë dëmshpërblim si vend i okupuar brenda Jugosllavisë, të njihen vitet e pensioneve të kosovarëve në atë kohë, por nga ana tjetër edhe të jepen listat e personave të zhdukur”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos