Gazetari Neritan Sejamini, i ftuar në emisionin Off the record nga Andrea Danglli në A2 CNN, deklaroi se shkarkimi i Erion Veliajt nuk është thelbi i problemit, por sistemi i ngritur prej tij dhe Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës.
“Veliaj është i parëndësishëm. Ajo që më vjen keq është se nuk kemi zbërthyer makinerinë e votave që ngritën Rama dhe Veliaj në Tiranë,” u shpreh Sejamini.
Ai ngriti një sërë pyetjesh: “Si ka mundësi që njerëz që vijnë nga rruga, brenda një apo dy vitesh bëhen drejtorë të fuqishëm në bashki?” “Si ka mundësi që të gjithë e dinë për veprimet korruptive, por askush nuk flet, nuk ka dorëheqje dhe nuk ngrihet zëri?” “Si ka mundësi që punonjësit e administratës publike, të cilëve u ndalohet fushata, bëjnë fushatë zgjedhore hapur në mes të Tiranës?”
Sipas tij, problemi nuk qëndron te një individ i vetëm, por tek struktura e ngritur në Bashkinë e Tiranës: “Ti mund ta zëvendësosh Veliajn me kë të duash, por kjo strukturë do të mbetet. Nëse nuk merremi me administratën publike, mënyrën si punësohen e si bëjnë karrierë njerëzit, korrupsioni do të vazhdojë.”
Sejamini shtoi se Bashkia e Tiranës shpenzon fonde për artistë e gazetarë jashtë funksionit të saj, ndërsa ka një numër të lartë punonjësish policie lokale: “Si ka mundësi që Bashkia e Tiranës ka më shumë policë sesa mësues? Sot ka pothuajse sa Policia e Shtetit dhe janë aty vetëm për gjoba,” theksoi gazetari. (A2 Televizion)