Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin “Off the record nga Andrea Danglli, në A2 CNN, deklaroi se rrëzimi i Erion Veliajt nuk ishte produkt i ndonjë lufte klanesh në Partinë Socialiste, por rezultat i vetë arrogancës dhe gabimeve të tij.
“Në PS nuk ka luftë klanesh, aty ekziston vetëm pushteti i Ramës. Çdo vendim merret nga ai, që nga qeveria e deri tek Akademia e Shkencave. Veliajn e rrëzoi zullumi, arroganca dhe një sërë faktorësh, të cilët në fund u vulosën nga propozimi i vetë këshilltarëve për shkarkim,” u shpreh Këlliçi.
Ai rikujtoi se këshilltarët e PD-së kanë kërkuar shkarkimin e Veliajt që më 9 maj 2025, pasi kryebashkiaku nuk ishte paraqitur në zyrë për më shumë se tre muaj, duke shkelur afatet ligjore.
“Njerëzit më të besuar të tij, ata që e quanin superheroin e Tiranës, sot e shkarkuan. Ky është i njëjti njeri që u shfaq si shpëtimtar i qytetit, por që la pas ajrin më të ndotur dhe trafikun më të dendur në vend. Një seri komponentësh e çuan në këtë fund Erion Veliajn,” shtoi Këlliçi. (A2 Televizion)