Marrëveshja ekonomike me Serbinë, Hoti raporton javën e ardhshme në Kuvend për dialogun

Nga A2 CNN
8 Shtator 2020, 21:20 | Kosova
Marrëveshja ekonomike me Serbinë, Hoti raporton javën e ardhshme

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të raportojë javën e ardhshme në Kuvend për marrëveshjen e stabilizimit ekonomik të nënshkruar me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

Në një letër dërguar kryeparlamentares Vjosa Osmani, shefi i qeverisë së Prishtinës shpreh gatishmërinë e tij që të mbrojë ujdinë në seancat e radhës. Raportimin e Hotit e kërkoi edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, por Parlamenti nuk mund të mblidhet pa u kthyer deputetët nga pushimet.

Shefi i qeverisë pohon se marrëveshja është një hap shumë i rëndësishëm drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke në mes të dy shteteve.

Megjithatë, opozita ka një qëndrim plotësisht të kundërt. Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha: “Resurset e Kosovës janë të patjetërsueshme. Këtë e përcakton edhe Kushtetuta. Ai që mendon se mund t’i japë resurse Serbisë, bën një krim të madh, që tashmë ka ndodhur”.

Ndërkohë, partia opozitare bëri të ditur se i nevojiten edhe 9 vota për të ngritur një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Hoti.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos