
Kosovë-Serbi, një dyshe që prej më shumë se një dekade del kokulur nga tryezat negociatore, sot ka diçka të prezantojë, një marrëveshje e firmosur brenda Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Sa e vlefshme është përmbajtja e ndërmjetësuar nga amerikanët? A ka palë të avantazhuar në të mirat praktike apo ka vlerë simbolike kompromisi, që mund t’i hapë rrugë një zgjidhjeje finale?
Përgjigje këtyre pyetjeve u dha në A2 historiani dhe profesori Enver Bytyçi. “Ajo që ndodhi në zyrën ovale ishte një ngjarje me rëndësi. Unë nuk do të thosha që ishte një marrëveshje historike, pasi historike në atë qëndron vetëm fakti që shteti i Izraelit e njeh pavarësinë e Kosovës. Të tjerat janë çështje të njohura dhe të pranuara nga palët në marrëveshje të mëparshme. Megjithatë, kjo marrëveshje i jep një shtysë të re dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, dëshmon se SHBA-ja është e gatshme ta mbështesë këtë dialog dhe krijon avantazhe në disa dimensione. Dimensioni i parë ka të bëjë me pozicionin e vetë Trump-it në raport me fushën zgjedhore të tij dhe në këtë rast ai ka gjetur një mënyrë të re për të avancuar pozionin e tij në politikën e jashtme, duke mbështetur shtetin e Izraelin, që kryeqyteti i tij të transferohet në Jerusalem. Ndërkohë, një avantazh ka fituar Vuçiç, avantazhi i tij ka të bëjë me disa formula të favorshme në dukje, të cilat me një kujdes të veçantë të Prishtinës nuk do të kthehen në favore për Serbinë. Disavantazhi i presidentit të Serbisë lidhet me faktin se për herë të parë Serbia ndryshon kahun e qëndrimeve dhe aleancave të saj dhe për pasojë humbet pozicionin që ka pasur me Rusinë, Kinën dhe vendet arabe.
Për Bytyçin, Kosova as ka fituar, por as ka humbur nga kjo marrëveshje. “Unë mendoj se Kosova nuk ka fituar ndonjë gjë të madhe, por edhe nuk ka humbur. Kosova duhet të ruante pikën 10 të marrëveshjes, ku i bëhej thirrje Serbisë të njihte Kosovën, ndërsa të gjitha pikat e tjera ishin në favorin e Serbisë”.
Më tej, Bytyçi shprehet skeptik për zbatimin e marrëveshjes nga Serbia. “Unë jam skeptik që Beogradi do t’i qëndrojë besnik kësaj marrëveshjeje. Madje, që ditën e dytë, Vuçiç i bëri thirrje kryeministrit të Izraelit që të mos e nxjerrë vendimin për njohjen e Kosovës, duke e paralajmëruar se ai nuk do të zbatonte pikën e marrëveshjes që të transferonte ambasadën e Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem. Vuçiç është në presion të madh nga Rusia, Kina dhe vendet arabe”. (A2 Televizion)