
Marrëveshja pa firmën e Ohrit krijon një status-quo të re në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë e konfirmon përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell, pasi informoi ministrat e bllokut për pajtimin e arritur mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç për propozimin që normalizon raportet.
“Ky është një moment i rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, dhe sigurisht që krijon një status quo të re në dialog. Ne nuk do të jemi më, shpresoj, në gjendje krize, por do të vazhdojmë me zbatimin e Marrëveshjes që u pranua më 27 shkurt. Këto dokumente kanë hyrë në fuqi me Deklaratën e lëshuar. Nuk është nënshkruar për arsye ligjore, por të dyja palët u pajtuan për të përmbushur plotësisht obligimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje dhe Aneksi për zbatimin e saj”, tha Borrell.
Përsëriti edhe njëherë se dispozitat e pranuara me propozimin europian do të jenë kushte për Kosovën dhe Serbinë që të avancojnë në anëtarësimin në BE. Kryediplomati i Unionit sqaroi dhe mënyrën e zbatimit të marrëveshjes së pafirmosur në Ohër dhe formimin e asociacionit.
“Duhet të zbatohet sipas një kalendari të caktuar. Dhe ky afat kohor kërkon që secila palë të bëjë pjesën e saj. Nuk keni pse ta filloni shtëpinë nga çatia. Filloni me gjërat më urgjente. Dhe ka disa që janë shumë, shumë urgjente. Aneksi thekson qartë se Kosova është e përkushtuar për zhvillimin e menjëhershëm të asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës. Ne do të ndjekim nga afër se si të dyja palët do t’i zbatojnë këto obligime që janë pjesë integrale e rrugëve të tyre drejt Europës”, shtoi ai.
Plani i pranuar nga Kosova dhe Serbia përmban 11 pika dhe një aneks për zbatimin e tij. Mes neneve përmendet një njohje de fakto e ndërsjellë, që Beogradi nuk do pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, zbatimi të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut, vetëmenaxhimi i Serbëve në Kosovë dhe përcaktimi i statusit të kishës ortodokse serbe në Kosovë. (A2 Televizion)