Marrëveshja për reformën zgjedhore, grupi demokrat kundërshton dokumentin

Nga A2 CNN
15 Janar 2020, 12:36 | Politikë
Marrëveshja për reformën zgjedhore, grupi demokrat

Rudina Hajdari nuk e kishte hedhur firmën një ditë më parë në dokumentin para të cilit u ul bashkë me Damian Gjiknurin dhe dy përfaqësuesit e opozitës jashtë Parlamentit, Oerd Bylykbashkin e PD dhe Petrit Vasilin e LSI.

Kjo për shkak se ajo nuk ishte dakordësuar më parë me deputetët e tjerë të opozitës parlamentare, me të cilët u takua këtë të mërkurë. Ata vendosën ta mbështesin praninë e Hajdarit në përbërjen e këshillit të ngritur të martën, por kanë kërkuar që të përfshihet në të edhe puna që është bërë në vitin 2019 nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, pasi anashkalimi i saj do të sillte nxjerrjen jashtë loje të propozimeve të tyre, si ndryshimi i sistemit zgjedhor.

“Ne parimisht e diskutuam draftin dhe kundërshtojmë paragrafin numër 4, ku nuk përfshihet te objekti i punës ajo që kemi bërë në vitin 2019”, tha deputeti Korab Lita. “Nuk duam vetëm arnime në kodin zgjedhor. Absolutisht që i mbështesim, por nuk është e mjaftueshme”, tha deputeti tjetër, Halil Jakimi. “Ne kërkojmë ndryshimin e sistemit që është i marrë peng. Nuk e kuptoj pse e kanë frikë partitë opozitare”.

Ndërsa Alban Zeneli paralajmëroi se votat e opozitës parlamentare nuk janë të garantuara. “Duhet t’ia heqim monopolin kryetarëve të partive, aq shumë të mirëpritur nga qytetarët shqiptarë. Në çdo rast tjetër, unë, por jam i bindur edhe kolegët e mi, nuk do të japim votën për arnime. Sidomos kur vijnë nga tryeza jo institucionale, siç ishte rasti i fundit”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos