
“Dekretet e zotit Ilir Meta do të rrëzohen”.
Ky është qëndrimi i mazhorancës kundrejt dekreteve të Presidentit Ilir Meta për paketën antishpifje. Dy ligjet për median e rikthyera në Kuvend do të kalojnë formalisht në komisione, ku përveç këshilltarit juridik të Presidentit, nuk do të ketë dëgjesa me grupet e interesit.
“Bëhet një dëgjesë kur vijnë pjesë nga zyra juridike e Presidencës dhe diskutojnë komisionet përkatëse dhe anëtarët e komisioneve diskutojnë për këtë çështje duke marrë në konsideratë dhe opinionet që vijnë nga shërbimet mbështetëse të Parlamentit”, tha Milva Ekonomi, nënkryetare e Komisionit të Medias.
Disa prej deputetëve të opozitës parlamentare bashkuan votat me mazhorancën në 18 dhjetor për të miratuar paketën antishpifje, ndërsa opozita jashtë paralajmëron se do ta rrëzojë sapo të vijë në pushtet.
Albana Vokshi, ish-kryetarja e Komisionit të Medias, thotë se pas këtyre nismave qëndron fshehja e aferave korruptive qeveritare: “Për këto e për shumë afera të tjera që rëndojnë mbi këtë qeveri, Edi Rama do të kërkojë ta miratojë me shpejtësi, pa asnjë ndryshim këtë ligj të kthyer nga Presidenti. Por, asnjë ligj censure nuk do të arrijë të fshehë të vërtetat e korrupsionit, të krimit, varfërisë dhe mjerimit që ka mbërthyer Shqipërinë”.
Por, ndërkohë, vetë gazetarët duket se nuk kanë ndërmend ta lënë në duart e politikës lirinë e tyre të të shprehurit.
Mimoza Koçiu, e shoqatës “Gazetarët profesionistë të Shqipërisë”, tha: “Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, pastaj edhe Strasburgut. Është një protokoll pune që ne e kemi përcaktuar tashmë, por shpresojmë shumë që këtë herë zoti Rama të reflektojë dhe të kuptojë se është vetëm kundër të gjithëve”.
Shoqatat e medias i bëjnë thirrje deputetëve të reflektojnë pas shansit që Ilir Meta i dha. Të njëjtën thirrje e bëri dhe ky i fundit nëpërmjet rrjeteve sociale. (A2 Televizion)