Martin Çeço i pagoi 2,5 milionë lekë shkesit, babai tregon detajet e “telenovelës” tragjike që i mori jetën të birit

Nga A2 CNN
15 Tetor 2022, 15:09 | Kronikë
Martin Çeço i pagoi 2,5 milionë lekë shkesit, babai

Një ditë pas arrestimit të Martina Pajollarit e cila dyshohet të jetë bashkëpunëtore në vrasjen e Martin Çeços së bashku me tre të arrestuarit e tjerë, babai i viktimës ka zbardhur detaje të reja nga nata kur ndodhi vrasja.

Nevzat Çeço tregoi se djali i tij e kishte kërkuar për nuse Tina Pajollarin. Vajza e kishte refuzuar edhe pasi Martin Çeço, përmes një mblesi, të cilin babai e identifikon me emrin Xhoni, i ka paguar 2,5 milionë lekë të vjetra për t’i mbushur mendjen vajzës që të martohej me të.

Natën kur ndodhi ngjarja, rrëfen babai, Tina Pajollari e ka marrë Martinin në telefon duke i kërkuar që Martini të mos e shqetësonte në telefon me justifikimin se nuk ishin në dijeni prindërit të lidhjes së tyre. Ajo më pas i tha Martinit që do ta telefononte të nesërmen në orën 10 në mëngjes.

Pas përfundimit të bisedës me të, Martinin e ka telefonuar një person të cilin as babai e as Martini nuk e njihnin. Telefonuesi e ka kërcënuar Martinin duke i thënë “do t’i këpus buzët”. Në gjendje të rënduar psikologjikë Martini i tha të atit “jeta ime mbaron këtu”.

https://a2news.com/2022/10/14/vrane-te-riun-dhe-e-hodhen-ne-liqen-arrestohet-dhe-vajza-per-te-cilen-nisi-konflikti/

Pas kësaj Martini, i shqetësuar, ka dalë nga shtëpia më shapkat që gjeti te shkallët e shtëpisë. Babai e ka kërkuar gjithë natën në korijen sipër shtëpisë duke pasur frikë se mos Martini kishte varur veten. Më pas ai ka kërkuar edhe te rezervuari i fshatit duke e kërkuar edhe brenda në rezervuar por nuk ka parë asgjë të dyshimtë.

Babai i Martin Çeços akuzon Tina Pajollarin si shkaktaren kryesore të vrasjes së djalit ndërsa pohon se tre personat e tjerë të arrestuar nga policia nuk i njihte. Nevzat Çeço pohoi më tej se Tina Pajollari i dërgonte Martinit foto të një varri me lule por ai nuk e kuptoi mesazhin e fotografive që i dërgonte Tina.

A2 CNN ka mësuar se Martina Pajollari është arrestuar nga policia, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e Martinit, më 18 qershor të këtij viti. Policia ka arritur të sigurojë provat e mjaftueshme që vërtetojnë se kjo shtetase ka bashkëpunuar me 3 autorët e arrestuar më herët, Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj që aktualisht ndodhen në burgun e Drenovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos