
Arrestohet në Greqi Laert Haxhiu, i shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës, ngjarje ku u vranë dy vetë e u plagosën dy të tjerë.
Haxhiu po gjykohej në mungesë në Gjykatën e Posaçme. Për të njëjtën ngjarje në një proces të veçuar GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.
Bëhet e ditur se arrestimi i Haxhisë u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Eksponenti”.
Haxhia u kap në Janinë ndërsa shërbimet e policisë së shtetit helen i gjetën leje qëndrimi greke të falsifikuar, me emrin Mikis Askalidis 32 vjeç, lindur në Gjeorgji
Kujtojmë se 31-vjeçari është dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
NGJARJA
Më 11 tetor 2016 në Lushnjë, në përpjekje për të eliminuar nipin e ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bares, u vranë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku, por s’u lëndua “shënjestra”.
Sipas SPAK, grupi kriminal, ishte krijuar me qëllim vrasjen e Shkurtit, i cili ditën e ngjarjes ishte larguar nga grupi i miqve të tij pak sekonda para se ndaj tyre të qëllohej me breshëri.
Prokurorët e SPAK konkluduan se krimi ka pasur si motiv hakmarrjen, referuar një historiku konflikti mes familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut, nisur që gjatë veprimtarisë së bandës famëkeqe të Lushnjës, në vitin 1998. (A2 Televizion)