
Mbyllja e përjetshme në qeli u kërkua për të pandehurit Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Ata dyshohet të jenë pjesë e një grupi kriminal përgjegjës për ngjarjen e njohur si “Masakra e Lushnjës”, ku u vranë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku.
SPAK kërkoi deklarimin e fajshëm të Bilbilit e Kaloshit për një sërë veprash penale, përfshirë “vrasje me paramendim për hakmarrje”, “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, grupi kriminal ishte krijuar nga Laert Haxhiu me qëllim ekzekutimin e Xhulio Shkurtit, nipit të ish-drejtuesit të “bandës së Lushnjës”, Aldo Bare.
Ndonëse ishte “shënjestër” Shkurti nuk u lëndua në atentat, pasi vetëm pak çaste para se drejt grupit të miqve të tij të qëllohej me breshëri, ishte futur në një dyqan aty pranë. Pjesëmarrës në grup ishin edhe persona të tjerë, ende të paidentifikuar, të cilët kanë ndihmuar në gjetjen e automjetit dhe 3 kallashnikovëve të përdorur në ngjarje. Sipas SPAK, krimi ka pasur si motiv hakmarrjen, referuar një historiku konflikti mes familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut, nisur që gjatë veprimtarisë së bandës famëkeqe të Lushnjës, në vitin 1998. (A2 Televizion)