
Pandemia ka bërë që festat e fundvitit të jenë ndryshe pa grumbullime e aktivitete dhe rrugë të boshatisura. Vendosja e kufizimeve të reja për festat që hynë në fuqi mbrëmjen e së enjtes, ku ndalohet qarkullimi i lëvizjes së njerëzve dhe mjeteve pas orës 20:30 deri në orë 06:00 të mëngjesit, do të sjellë një monitorim të ashpër edhe nga Policia e Shtetit.
“Strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë masa që pas orës 20:30 të mbrëmjes së sotme deri në orën 06:00 të mëngjesit të çdo dite deri më datë 4 janar, të mos lejojnë asnjë qytetar apo automjet që të lëvizë, si dhe asnjë lokal të mos jetë i hapur. Përjashtohen nga ky kufizim vetëm personeli shëndetësor, ai policor, ushtarak, gazetarët dhe ata që janë në punë turni i tretë në linjat e prodhimit të konsumit të përditshëm. Policia e Shtetit e ka vlerësuar si të domosdoshme marrjen e disa masave shtesë, si dhe kalimin e të gjithë strukturave të Policisë në gatishmëri “Shërbim të përforcuar”, u shpreh zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka.
Loka tha se Policia e Shtetit, po monitoron tregtimin e fishekzjarrëve ndërsa ka angazhuar dhe forcat speciale për të shmangur kriminalitetin edhe pse askush nuk mund të dalë pas orës 20:30.
“Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”, shtoi Loka.
Për këtë Policia e Shtetit kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të mos grumbullohen për festime në sheshe apo në ambiente të tjera si dhe të shmangin përdorimin e fishekzjarrëve. (A2 Televizion)