
Bashkë me rënien e numrit të të infektuarve, masat e marra nga qeveria e Madridit po japin rezultate të mira edhe në cilësinë e ajrit për Spanjën në përgjithësi, por veçanërisht për disa nga kryeqendrat spanjolle.
Për vetëm 3 javë izolimi nga koronavirusi, të dhënat satelitore nga Sentinel-5 tregojnë rezultate fantastike në cilësinë e ajrit në qytete si Madridi, Barcelona, Valencia, Sevija, Malaga apo Alikante.
Këto qytete, të cilat në normalitetin e tyre ziejnë nga zhurma, trafiku dhe ndotja e ajrit, për vetëm pak javë izolim kanë shënuar një ulje të ndotjes së ajrit në nivelin 40% më pak se normaliteti i pranverës për këto qytete.
Nëse, masat izoluese do të vijojnë edhe për 2 javë të tjera, ashtu sikurse u shpreh gjatë fundjavës, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, ekspertët e mjedisit presin që ndotja e ajrit të zbresë afër zeros në disa nga kryeqendrat spanjolle, madje në shumë provinca në verilindje ndotja e ajrit pas shumë vitesh ulet në nivelin zero. (A2 Televizion)