Masat në Kuvend nuk bindin deputetët, paralajmërohen mungesa

Nga A2 CNN
11 Prill 2020, 19:21 | Politikë
Masat në Kuvend nuk bindin deputetët, paralajmërohen mungesa

Vendimi për të mbledhur seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë nuk është mirëpritur nga të gjithë ligjvënësit.

Deputeti i pavaruar, Andi Përmeti, ka kundërshtuar mbledhjen në një sallë të mbyllur të pothuaj 150 personave dhe ka paralajmëruar se vetë nuk do të jetë i pranishëm në seancë.

Përmes një e-mail, Kuvendi ka njoftuar se seanca do të zgjasë 120 minuta, nga ku 70 minuta do të diskutojë mazhoranca dhe 50 opozita. Deputetët jashtë grupeve do të kenë vetëm 5 minuta kohë.

Në seancën e së enjtes, ligjvënësit do të kontrollohen për temperaturën nga mjekët. Do të pajisen me maska e dorashka dhe do të ulen në një distancë të konsiderueshme nga njëri-tjetri, madje dhe në llozhat e katit të dytë, kur dikur uleshin gazetarët.

Duke nisur nga java e ardhshme, edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare do të transmetohen drejtpërdrejtë “online” në faqen zyrtare të Kuvendit në internet.

Deputetëve u kërkohet të ruhet etika, përndryshe kryetari i komisionit ka të drejtë të përjashtojë nga mbledhja deputetin i cili nuk zbaton rregullat e mësipërme.

Në prill, Kuvendi do të mblidhet në tre seanca ku do të votohen Kodi Penal, aktet normative për koronavirusin, dy dekretet e Presidentit për ligjin për OFL dhe pronat.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos