
Vladimir Gjuta qëndron në qeli prej janarit, pasi u kap me një armë me vete pranë selisë së Partisë Socialiste, por këtë të enjte, Gjykata e Tiranës caktoi një tjetër masë “arresti me burg” për të. Ai akuzohet për “kanosje” dhe “goditje për shkak të detyrës”, vepra të kryera brenda burgut 313, gjatë kohës që vuan paraburgimin.
Sipas prokurorisë së kryeqytetit, pasi është kyçur në paraburgim, ai ka kërcënuar me një letër drejtorin e burgut, duke i thënë se ishte “më i forti”. Për këtë është dërguar në izolim dhe me tej i është kërkuar të dilte para një komisioni disipline.
Teksa duhet të jepte sqarime për “mëkatet” para komisionit, ai ka shkelmuar tavolinën e tyre, si edhe i ka sharë, fyer dhe kërcënuar me jetë. Pas dy javësh në qeli, Gjuta ka goditur një nga punonjësit e policisë të burgut.
Sipas dosjes së prokurorisë, polici i ka hapur derën e qelisë për ta shoqëruar atë në kryerjen e një telefonate, por ka marrë një grusht në fytyrë nga Gjuta. Ndërsa në 31 janar, Gjuta ka tentuar të godasë me grusht shefin e regjimit të 313-ës.
Ndonëse ai është shmangur, teksa e kanë neutralizuar të paraburgosurin, ai i ka kafshuar gishtin njërit prej policëve. Në dëshmitë e dhëna për hetimin një nga punonjësit e policisë së burgut ka rrëfyer se Gjuta është problematik me bashkëvuajtësit dhe me punonjësit e shërbimit. Për këtë shkak, sipas tij, të gjitha veprimet në lidhje me këtë të paraburgosur bëhen në praninë e grupit të sigurisë. (A2 Televizion)