
Mashtronte përmes një poste duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, arrestohet pronarja në Korçë.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se shtetasja A. B, nga Korça, prej disa muajsh ishte nën hetim pasi dyshohet se ka vjedhur shuma monetare në lek dhe valutë, duke mashtruar bizneset të cilat operonin online dhe dërgonin porositë e tyre tek klientët në Korçë.
Sipas të dhënave, mësohet se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën, A.B. nuk ua dorëzonte këto pagesa bizneseve duke i mashtruar.
Hetimi ka filluar pak muaj më parë, pas denoncimeve të bëra nga disa biznese.
Nga veprimet e thelluara hetimore rezulton se 46-vjeçarja, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro.
Shumën e konsiderueshme të përfituar, dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja. (A2 Televizion)