
Një aferë korruptive në Gjykatën e Elbasanit rrezikon t’i kushtojë më rëndë qytetarit që do të jepte rryshfet sesa gjyqtares së akuzuar për “korrupsion”. Në konkluzionet përfundimtare të çështjes ndaj ish-gjyqtares së Elbasanit, Zamira Vyshka, SPAK kërkoi një dënim me 2 vjet e 8 muaj burg për akuzën e “korrupsionit pasiv të gjyqtarit”.
Më tej, SPAK kërkoi pezullimin e dënimit me burg për gjyqtaren e gjykuar në “arrest shtëpie” dhe lënien e saj në liri me kusht në shërbim prove për 2 vite. Për të pandehurin Taulant Ramollari, i akuzuar nga SPAK si personi që do t’i jepte ryshfet gjyqtares në këmbim të lehtësimit të dënimit të një të afërmi, u kërkua një dënim me 2 vjet burg.
Në të njëjtën çështje, SPAK kërkoi dënimin me 1 vit e 8 muaj për ish-avokatin Ilir Pashaj, i akuzuar po për korrupsion dhe një dënim me 1 vit burg për të pandehurin Andrea Tirana, i akuzuar për “moskallëzim krimi”.
Sipas SPAK, episodi kriminal për të cilën akuzohen të pandehurit është shënuar në tetor të vitit 2021. Taulant Ramollari dyshohet se duke përdorur si negociues avokatin Pashaj, do t’i ofronte një shumë prej 200 mijë lekë gjyqtares Vyshka për vendim të favorshëm ndaj një familjari të tij, të akuzuar për vjedhje. Ndonëse gjyqtarja nuk ka marrë rryshfetin e përfolur, SPAK pretendon se ka prova se ajo ka kërkuar një shumë më të lartë.
Ndryshimi i shumës nuk është përqafuar nga familjarët e personit në gjykim dhe kanë hequr dorë nga përpjekja për ryshfet, por një hetim i nisur për rastin i vuri para përgjegjësisë penale të dyshuarit si pjesëmarrës në këtë aferë. (A2 Televizion)