
“Korridori detar i bukës” është gati të vihet në funksion. Tetë anijet e para të huaja mbërritën në portet e Ukrainës me misionin për të eksportuar produkte bujqësore. Marina ushtarake e vendit të përfshirë nga lufta është angazhuar në garantimin e një lundrimi të sigurt.
Njoftimi është bërë vetë autoritetet ukrainase që sqarojnë se “me kërkesë të ministrisë së infrastrukturës, njësitë detare të forcave të armatosura do të garantojnë transportin e produkteve bujqësore nga ana e anijeve civile përmes Detit të Zi”.
Kjo u bë e mundur vetëm falë çlirimit të Ishullit të Gjarpërinjve, të pushtuar që në nisje të luftës nga ushtria e Rusisë. Zhbllokimi i porteve të Ukrainës erdhi nga këmbëngulja e Turqisë dhe ndërmjetësimi i vazhdueshëm i këtij shteti mes drejtuesve në Kiev dhe Moskë.
Së fundmi, presidenti Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi biseda telefonike me të dy homologët veçmas, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, duke diskutuar zbatimin e planit të Kombeve të Bashkuara për eksportimin e grurit nga Ukraina. Lidhur me këtë është konfirmuar dhe një takim i nivelit të lartë në Iran. Ballafaqimi mes Erdogan dhe Putin, i pari me prezencë fizike që prej 24 shkurtit, do të ndodhë më 19 korrik. Konfirmimi ka ardhur nga vetë Kremlini.
Ndërkohë, presidenti rus nënshkroi dhe një dekret që përshpejton dhënien e shtetësisë ruse për ukrainasit, një tentativë e Putin për të marrë kontrollin e vendit fqinj dhe rritur ndikimin mbi të. Deri më tani kjo e drejtë u ishte dhënë vetëm banorëve në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës. (A2 Televizion)