
Gjyqtari i Lartë Ardian Dvorani, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, depozitoi në KLGJ qëndrimin e tij mbi kërkesën e Presidentit të Republikës për largimin e tij nga këto detyra.
Burime pranë KLGJ saktësuan Dvorani i kërkonte presidentit të ishte më i përmbajtur në qëndrimet e tij, pasi për të disatën herë ndërhynte në punën e institucioneve të pavarura. Në vijim, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi argumentonte se Presidenti i Republikës nuk kishte kompetencë t’i kërkonte KLGJ-së largimin nga detyra të një anëtari të Gjykatës së Lartë.
Po sipas gjyqtarit të Lartë, vetë KLGJ -ja nuk ka kompetencë për të shqyrtuar një pretendim si ai i ngritur nga Presidenti i Republikës. Burimet theksuan se në argumentet e tij Dvorani nënvizon se ka qëndruar në detyrë në pritje të pasardhësit.
Sipas tij, emërimet në Gjykatën e Lartë nuk bëhen si emërimet në Gjykatën Kushtetuese, pasi vakancat nuk shpallen për emra të përveçëm, por për pozicionet.
Ardian Dvorani qëndron në detyrë gati 7 vjet përtej mandantit kushtetues, në pritje të emërimit të pasardhësit. Më 15 prill, Kreu i Shtetit i tha KLGJ-së të vlerësojë largimin e Dvoranit nga detyra, në kushtet kur në Gjykatën e Lartë janë emëruar tre gjyqtarë të rinj.
Mbledhja e KLGJ-së për shqyrtimin e kësaj çështjeje do të zhvillohet të martën në orën 12:00. (A2 Televizion)