
Avioni me refugjatët e parë afganë me shumë mundësi do të mbërrijë nesër në mëngjes në Shqipëri, njoftoi Ministria e Jashtme, ndërkohë që në një njoftim të mëparshëm ishte thënë se do të vinin në mesnatë.
Sipas burimeve të A2, ka pasur një shtyrje të orarit të nisjes për shkak të situatës kaotike në Afganistan, megjithatë nuk ka asgjë të konfirmuar deri tani.
Shqipëria ka pranuar të strehojë përkohësisht disa shtetas afganë të cilët do të kenë si destinacion përfundimtar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vetë ambasadorja Yuri Kim tha se nuk dihet numri i personave që do të vijnë, për shkak të kushteve në të cilat ndodhet Afganistani.
Dy ditë më parë, vendi aziatik ra nën pushtetin e talebanëve, një grupim i armatosur islamik, i cili pretendon të ngrejë një Emiratet Islamike të Afganistanit. (A2 Televizion)