
I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia janë pranë arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se ka dëgjuar nga kolegët evropianë se bëhet fjalë për “çështje javësh”.
Gjatë një interviste për televizionin kosovar, Kanal 10, pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani në Prishtinë,
Escobar u pyet nëse bëhet fjalët për një marrëveshje të mbështetur në propozimin e Francës dhe Gjermanisë. Ndërsa nuk e konfirmoi diçka të tillë, diplomati amerikan shprehu mbështetjen e plotë për formulën franko-gjermane për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
“Sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës dhe potencialisht Serbisë, në strukturat euro-atlantike. Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”, ishin fjalët e Escobar.
Ishte presidenti Vuçiç që zbuloi ekzistencën e propozimit franko-gjerman, që thuhet se i kërkon Serbisë të lejojë anëtarësimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare në këmbim të integrimit të shpejtë të Serbisë në BE. (A2 Televizion)