Mbetje druri në vend të qymyrit! Minatorët serbë zbulojnë një anije romake

Nga A2 CNN
4 Gusht 2023, 16:32 | Ballkani
Mbetje druri në vend të qymyrit! Minatorët serbë

Arkeologët në Serbi po pastrojnë me kujdes rërën dhe dheun nga mbetjet e lashta të drurit të një anijeje romake të zbuluar nga minatorët në një minierë të madhe qymyri. Gjatë punës, një ekskavator në minierën e Drmno-s zbuloi disa lëndë druri dhe ekspertët e arkeologët nga muzeu në vendbanimin e lashtë romak të njohur si Viminacium punuan me ritme të shpejta në përpjekje për të ruajtur skeletin e anijes, zbulimi i dytë i kësaj natyre në po këtë zonë që nga viti 2020.

Anija mund të ketë qenë pjesë e një flote lumore që i shërbente qytetit romak që në atë kohë njihte zhvillim të madh dhe që ishte vendbanim i 45 mijë banorëve. Qyteti kishte në funksion një hipodrom, fortifikime, një forum romak, një pallat, tempuj, amfiteatër, ujësjellës, banja dhe punishte.

Arkeologu kryesor Miomir Korac tha se gjetjet e mëparshme na japin indicie se anija mund të datojë që në shekullin e 3-të ose të 4-të pas Krishtit, kur Viminacium ishte kryeqendra e provincës romake të Moesia Superior dhe kishte një port pranë një dege të lumit Danub.

Arkeologu i tha Reuters-it se me shumë gjasa anija është romake, por nuk është i sigurt për moshën e saj të saktë. Arkeologët besojnë se dy anijet dhe tre kanoet e zbuluara deri më tani në këtë zonë ose janë fundosur ose janë braktisur në breg të lumit.

Synimi është që së shpejti të ekspozohet ky zbulim i fundit bashkë me mijëra artefakte të zbuluara në Viminacium pranë qytetit të Kostolacit, 70km në lindje të Beogradit. Gërmimet në Viminacium kanë vazhduar që nga viti 1882, por arkeologët vlerësojnë se ata kanë pastruar vetëm 5% të vendit, që ata thonë se është 450 hektarë dhe i veçantë për shkak se nuk është varrosur nën një qytet modern. Zbulimet e deritanishme përfshijnë pllaka ari, skulptura nefriti, mozaikë dhe afreske, armë dhe mbetje të tre mamuthëve.

“Duke pasur parasysh se legjioni i njohur romak, Flavia, ishte vendosur këtu dhe dominonte jo vetëm zonën, por edhe një pjesë të konsiderueshme të rajonit të Danubit, nuk do të ishte e habitshme që anija të ishte romake. Cila është surpriza këtu, atëherë? Gjetja e kësaj anijeje të ruajtur kaq mirë ishte e papritur.”

“Kur i gjetëm ato anije disa vite më parë, thamë që datojnë nga shekulli i dytë ose i tretë. Pastaj u mor rezultati C14 pra me radiokarbon, i cili është i përshtatshëm për atë lloj prove. Aty u zbulua se këto anije të ndryshme vinin nga periudha të ndryshme kohore, si p.sh. shekulli i parë para Krishtit. Më duhet të pranoj se kjo erdhi si befasi sepse tregon se romakët ishin vendosur tashmë këtu në vitet e hershme të epokës sonë. Kjo sugjeron se ata ishin padyshim prezentë këtu në kohën e Çezarit ose pak para Çezarit. Prandaj, mund të supozojmë se kjo anije është romake, por nuk jemi të sigurt për moshën e saj të saktë. 

“Mendojmë se kemi zbuluar 3% ose 5% të sipërfaqes. Megjithatë, çfarë do të ndodhë kur të shqyrtojmë 95%-shin e mbetur, nuk e di, por do t'ua lë këtë të rinjve, sepse nuk do të jetoj aq gjatë sa ta shoh këtë. Për një gjë kam besim: pas 30, 40 ose 50 vitesh, Viminacium do të renditet ndër vendet më të rëndësishme arkeologjike në të gjithë Evropën. Pse e them këtë: nuk është për shkak të mureve që janë ruajtur këtu, pasi ka vende shumë më të mira për këtë në botë. Është për shkak të informacionit që do të ofrojë. Çdo gjetje që bëjmë këtu na mëson diçka për jetën në të kaluarën.”      

“Kjo do të jetë një procedurë shumë sfiduese, por me ndihmën e miqve tanë inxhinierë nga Drmno, të cilët do të përgatisin një strukturë të posaçme që do të ngrihet nga vinçi dhe kolegët tanë nga Instituti Arkeologjik, të cilët do të të mbrojnë anijen, që druri nga i cili është bërë anija të mos dëmtohet, i gjithë procesi i konservimit gradual do të vijojë këtu në ambientet tona për të ruajtur drurin në kushte të qëndrueshme dhe që anija të ekspozohet brenda parkut arkeologjik të Viminacium.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos