Mbetjet në Durrës, Këshilli Bashkiak i hap sot rrugën shlyerjes së detyrimeve ndaj kompanive private

Nga A2 CNN
4 Gusht 2021, 07:48 | Aktualitet
Mbetjet në Durrës, Këshilli Bashkiak i hap sot rrugën

Vazhdon procedura shkresore për zgjidhjen e problematikës së mbetjeve urbane që gjenerohen në territorin e Bashkisë së Durrësit. Pas pranimit të propozimit për kryerjen e pagesës nga pushteti qendror, sot pushteti lokal do të kalojë në Këshillin Bashkiak këtë vendim, për t’i hapur rrugë shlyerjes së detyrimeve ndaj kompanive private për evadimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës. 40,57 €/T do të paguhen nga buxheti i shtetit për mbetjet e Durrësit ose 154 836 400 lekë për periudhën gusht - dhjetor 2021, prej të cilave 114 886 400 lekë i përkasin pagesës së tarifës portë hyrëse në landfill dhe 39 950 000 Lekë për shpenzime të transportit nga kufiri i NJQV në landfill. Ndërkohë, për vitin e plotë kalendarik 2022 e në vijim, buxheti i shteti do të paguajë 430 043 280 lekë vetëm për evadimin e mbetjeve që gjenerohen në Bashkinë e Durrësit.

Fondet për vitet 2022-2030 do të jenë pjesë e dokumentit të Programit buxhetor afatmesëm dhe buxhetit vjetor të Bashkisë Durrës sipas përcaktimeve të VKM 496, datë 30.07.2021 “Për miratimin e kërkesës së bashkisë Durrës për mbështetje financiare nga qeverisja qendrore për menaxhimin e mbetjeve”, e cila do të negociohet çdo vit fiskal gjatë hartimit të projektbuxhetit afatmesëm dhe atij vjetor, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bashkisë Durrës, në varësi të aftësive fiskale.

Por çfarë parashikon skenari nr.2 i propozuar nga Bashkia për qeverinë? Sipas këtij skenari, përveç kostove për evadim, do të duhet të ndërtohet dhe një stacion transferimi me vlerë 5 000 000 €, i cili do të mbulojë të 3 Bashkitë e qarkut Durrës.

Por kë bën "fajtor" Bashkia e Durrësit për situatën kritike të krijuar me mbetjet urbane?

Sipas relacionit sqarues që Bashkia i ka drejtuar qeverisë, shpjegon se zanafilla e situatës anormale me mbetjet është viti 2018, kur u mbyll vendgrumbullimi i Porto Romanos dhe mosmbulimit të kostove financiare për këtë shërbim nga Ministria e Turizmit, që sipas Bashkisë kishte marrë përsipër këtë detyrim.

"Bashkisë Durrës nuk iu akordua fond për rehabilitimin e një venddepozitimi ekzistues, siç na u bë me dije nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për ta përdorur atë për një periudhë tranzitore, por iu mbyll një nga venddepozitimet ekzistuese, më i madhi në territorin e saj. Mbyllja e VGM-së Porto-Romano u realizua dhe u përcoll nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe AKUMI me anë të Vendimit Nr. 01, datë 16.01.2020 të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, i propozuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, dhe Ministria e Infrastruktures dhe Energjisë, vendosi mbylljen e menjëhershme të VGM-së Porto-Romano, duke e futur Bashkinë Durrës në një situatë kritike. Me anë të Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 06, datë 13.01.2020 “Për miratimin e lejes së infrastrukturës: “Mbyllja e venddepozitimit të mbetjeve të ngurta dhe ndërtimi i ECO-PARK me vendndodhje në Bashkinë Durrës”, të propozuar nga AKUMI, u pasua nga një AKT Dorezim i sheshit të ndërtimit të objektit "Mbyllja e venddepozitimit të mbetjeve të ngurta EKO-PARK Durrës", i mbajtur me datë 14.04.2020. Pas këtij Vendimi Bashkia Durrës vijon për disa muaj depozitimin në Porto Romano, deri në shpalljen e emergjencës mjedisore, pas së cilës nga qershor 2020 - deri në gusht 2021 depozitimi i mbetjeve të Bashkisë Durrës bëhet në landfillin e Sharrës, si operator pritës pa kontratë, me mbështetje të pushtetit qendror, për situatën ku ndodhet qyteti i Durrësit", thuhet ndër të tjera në relacion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos