
Më shumë se 1000 gra me ngjyrë nënshkruan sot një letër të hapur për presidentin e zgjedhur, Joe Biden, dhe zëvendëspresidenten e zgjedhur Kamala Harris, duke kërkuar që ekipi i tyre të caktojë më shumë gra me ngjyrë për të mbajtur poste në kabinetin e Biden.
CNN raporton se ky është presioni i fundit në rritje ndaj Biden dhe Harris për të diversifikuar administratën e tyre. Ata do të takohen me grupe të të drejtave civile, përfshirë NAACP, të martën.
Letra, drejtohej nga gra me ngjyrë me ndikim në jetën amerikane si politika, biznesi, sportet, argëtimi dhe besimi. "Është koha që gratë me ngjyrë, që aktualisht shërbejnë në fusha të rëndësishme dhe që kanë ndikim mbi kombin, të njihen dhe të merren parasysh në kabinetin e administratës suaj", thuhet në letër.
"Ashtu si gratë me ngjyrë dhe amerikanët me ngjyrë ishin çelësi për zgjedhjen tuaj në nëntor, ne jemi çelësi për suksesin e administratës suaj dhe zbatimin e vizionit tuaj. Komuniteti ynë duhet ta shohë veten të pasqyruar në pozicionet kryesore drejtuese", thuhet ndër të tjera në letrën drejtuar presidentit të zgjedhur.
Biden, i cili u zotua gjatë fushatës për të krijuar një administratë, larmia e së cilës reflekton Amerikën, tashmë ka nominuar dy gra me ngjyrë në pozicione drejtuese, Linda Thomas-Greenfield, si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara, dhe Cecilia Rouse për të udhëhequr Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë.
Letra përshëndet këto zgjedhje historike, por gjithashtu paralajmëron se ato nuk janë të mjaftueshme dhe sugjeron emrat e dhjetëra grave me ngjyrë për të udhëhequr ndër të tjera edhe departamentet e Bujqësisë, Tregtisë, Arsimit, Energjisë dhe Drejtësisë.
Disa nga emrat e listuar janë raportuar të jenë në shqyrtim nga ekipi i tranzicionit; Ohio Rep. Marcia Fudge për Departamentin e Bujqësisë dhe kryebashkiakja e Atlantës, Keisha Lance Bottoms, për të udhëhequr Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban të SHBA-së. Por, ka ende emra të paraportuar si dr. Anita Hill dhe Sherilyn Ifill, udhëheqëse e Fondit të Mbrojtjes Ligjore dhe Edukimit të NAACP.
CNN raportoi, javën e kaluar, se Lance Bottoms ishte duke u shqyrtuar për Administratën e Biznesit të Vogël.
"Ne shpresojmë që presidenti i zgjedhur dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur do të vazhdojnë këtë trajektore duke emëruar gratë me ngjyrë në krye të agjencive të kabinetit ligjor, ku ato do të kenë buxhetet, personelin dhe autoritetin politikëbërës për të ndikuar në ndryshimin e vërtetë në jetën e popullit amerikan", tha peshkopja Leah Daughtry, nënshkruese e letrës, në një intervistë për CNN. (A2 Televizion)