Ukraina: 121 fëmijë kanë humbur jetën në 28 ditë luftë

Nga A2 CNN
23 Mars 2022, 11:41 | Bota
Ukraina: 121 fëmijë kanë humbur jetën në 28 ditë

Mariupoli vazhdon të jetë epiqendër e ofensivës së pamëshirshme të Rusisë në Ukrainë. Luftimet e ashpra vijojnë në qendër të qytetit-port, ndërsa intensifikon edhe sulmet nga deti përmes luftanijeve të Moskës në Azov.

Rreth 100 mijë vetë kanë mbetur të bllokuar në Mariupol, duke vuajtur kushte çnjerëzore pa ujë, ushqim dhe ngrohje, mes bombardimeve konstante. Këtë e tha presidenti Volodimir Zelenesky i cili bëri thirrje për lirimin e një autokolone humanitare e marrë peng nga trupat e Putin dhe për krijimin e korridoreve të sigurta.

Palët u dakordësuan të mërkurën për hapjen e 9 korridoreve për evakuimin e qytetarëve, por jo nga Mariupoli.

Megjithatë, Zelensky tha se mbi 7 mijë vetë kishin mundur të largoheshin mes vështirësive të martën, nga qyteti që siç thuhet është kthyer në hi.

“Rreth 100 mijë vetë janë të bllokuar në Mariupol në kushte çnjerëzore, totalisht të bllokuar, pa ushqim, ujë dhe ilaçe, nën bombardimet konstante të ushtrisë ruse. Për më shumë se një javë jemi përpjekur të organizojmë korridore të sigurta për banorët, por fatkeqësisht gati të gjitha përpjekjet janë penguar nga pushtuesit”, u shpreh presidenti i Ukrainës.

Lufta 28-ditore i ka kushtuar jetën 121 fëmijëve sipas prokurorit të përgjithshëm, ndërsa më shumë se 160 të tjerë janë plagosur. Dy të mitur ishin mes 3 viktimave të artilerisë ruse që shënjestroi një godinë banimi në Rubizhne, në distriktin e  Luhansk.

Një marrëveshje u arrit për armëpushim lokal në rajonin separatist, për të larguar civilët e bllokuar atje. Forcat ukrainase po përpiqen të rifitojnë territorin e humbur gjatë ditëve të fundit, duke rimarrë kontrollin e Makariv, qytezë pranë Kievit.

Ka sugjerime se forcat ruse janë sprapsur edhe në zonat veriore të pranë kryeqytetit, të cilat i kontrollonin që prej nisjes së pushtimit. Por fitoret e vogla të Ukrainës, rrisin shqetësimet për egërsim të taktikave të Moskës, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja besojnë se Bjellorusia mund t’i bashkohet shpejt luftës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos