
Një tjetër mjek nuk i ka shpëtuar betejës së vështirë me Covid-19. Pas disa ditësh të vështira në spitalin Infektiv, mjeku Drini Dobi nuk ia ka dalë dhe pas dërgimit për kurim të specializuar në Itali.
Shefi i shërbimit neurovaskular në QSUT, humbi jetën pas komplikacioneve të rënda. Të shumta kanë qenë reagimet edhe në rrjetet sociale nga kolegë, miq, studentë, ish-pacientë, drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen nga jeta të mjekut Dobi.
Punonjësit e shëndetësisë janë më të ekspozuarit ndaj virusit, por edhe më të rrezikuarit prej tij. Me përkeqësimin e situatës, javët e fundit është rritur numri i viktimave edhe në radhët e mjekëve, ndër ta mjeku Bledi Nini, Suela Muça, pneomologia Flutura Hashrova dhe së fundmi neurogolu Drini Dobi.
Nga fillimi i pandemisë, mbi 20 mjekë dhe 4 infermierë kanë humbur jetën nga virusi. Në këtë betejë me virusin, ende pa trajtim specifik dhe pa një vaksinë anti-Covid humbje jete ka pasur edhe në radhët e arsimtarëve dhe efektivëve të policisë, të cilët janë më të rrezikuarit pas mjekëve dhe infermierëve në këtë pandemi. (A2 Televizion)