Një protestë për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha, është mbajtur dhe në qytetin juglindor të Korçës.
Dhjetëra të rinj kanë marshuar në pedonalen e qytetit dhe kanë kërkuar drejtësi për ngjarjen si dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Protesta nisi e qetë, por më pas një grup të rinjsh dëmtoi dekorimet për festat e fundvitit dhe qëlloi me gurë godinën e bashkisë dhe efektivët e vendosur pranë saj.
U nevojit ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që një pjesë e protestuesve të largohej. Nga sa raportohet nga vendngjarja, një polic ka mbetur i lënduar si pasojë e gurëve të hedhur nga protestuesit.
Klodian Rasha, 25 vjeç, u qëllua për vdekje me dy plumba nga një efektiv, gjatë natës mes 8 dhe 9 dhjetorit, pasi po e ndiqte sepse kishte shkelur orën policore, të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend. Ky i fundit, është arrestuar për tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes. (A2 Televizion)