
Kosova dhe Serbia kthehen sërish në Bruksel këtë të enjte. Me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Europian, grupet teknike të të dyja vendeve do të takohen për të diskutuar për çështjen e targave.
Synimi është gjetja e një zgjidhjeje të përhershme, në afatin kohor të 6 muajve. Pasi të përfundojë kjo periudhë, delegacionet dhe negociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të prezantojnë propozimet për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, ashtu siç parashikohet në marrëveshjen që u arrit në Bruksel në muajin shtator.
Ujdia i dha fund tensioneve të larta në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, që erdhën si pasojë e reciprocitetit për targat. Aktualisht, aplikohen letra ngjitëse në simbolet shtetërore të targave të automjeteve që hyjnë nga Serbia për në Kosovë dhe anasjelltas. Ndërkohë, tensionet në terren mund të jenë shuar, por mes liderëve mbesin ende, të cilët siç duket refuzojnë një takim të nivelit të lartë.
“Do të ketë takim të përfaqësuesve të qeverive tona, përkatësisht të kryenegociatorëve dhe ky takim më pastaj do të tregojë se kur mund të priten takime të tjera, por nuk besoj që do ketë takim shumë shpejt që do të thotë se jo në muajin tetor ndërmjet meje dhe presidentit të Serbisë në Bruksel nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, presidentit të Komisionit Evropian Josep Borrell”, tha Kurti.
Kurti hodhi poshtë pretendimet e Serbisë se Kosova nuk po tregohet konstruktive në procesin e dialogut, teksa nënvizoi se qeveria e tij ka dhe prioritete të tjera si lufta ndaj pandemisë dhe korrupsionit. (A2 Televizion)