Mbi 4 milionë të infektuar në SHBA, sërish mbi 1 mijë viktima

Nga A2 CNN
24 Korrik 2020, 12:42 | Bota
Mbi 4 milionë të infektuar në SHBA, sërish mbi 1 mijë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën një rekord tepër të zymtë. Më shumë se 4 milionë qytetarë të këtij shteti janë infektuar me Covid-19, me bilancin e 24 orëve të fundit që ishte mbi 68 mijë raste të reja.

Për të tretën ditë radhazi, SHBA raporton më tepër se 1 mijë viktima ditore, ndërsa që prej shpërthimit, pandemia u ka marrë jetën të paktën 144 mijë personave.

Gjendja më e rëndë paraqitet në Kaliforni, që tejkaloi dhe Nju Jorkun për nga numri i të infektuarve. Shpërthimi i ri i përhapjes së koronavirusit të ri ka prishur jo pak, planet e presidentit, Donald Trump.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi anulimin e konventës së partisë Republikane në Florida duke fajësuar pikërisht këtë rigjallërim të Covid-19, që erdhi pas rihapjes së ekonomisë. “Nuk është koha e duhur për ta mbajtur konventën”, u shpreh Trump duke shtuar se fjalimi për emërimin e tij si kandidat zyrtar  republikanëve për zgjedhjet presidenciale do ta mbajë në një formë tjetër.

Ndërkohë, pandemia po kushtëzon edhe veprimtari të tjera. Të gjithë amerikanët duhet të kenë opsionin për të votuar me postë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, si masë mbrojtëse kundër koronavirusit.

Këshilla është lëshuar nga një grup doktorësh, infermierësh dhe zyrtarësh të shëndetit publik në një letër dërguar Kongresit. Sipas tyre kjo do të shmangte mbipopullimin në qendrat e votimit. Me kërkesë të Trump, qendra amerikane për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve do të publikojë udhëzimet për rikthimin e nxënësve dhe studentëve në shkolla. Njëjtë si kreu i Shtëpisë së Bardhë, edhe ky institucion do të konfirmojë se fëmijët nuk vuajnë shumë nga koronavirusi i ri dhe kanë më pak gjasa se të rriturit për ta përhapur atë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos