
Një godinë e re 5-katëshe do të presë të gjithë të arrestuarit dhe ndaluarit e komisariateve të Tiranës. Blloku i sigurisë i Policisë së Shtetit pritet t'i japë fund dhe mungesës së kushteve për personat e shoqëruar, ndërsa sistemimi i tyre para daljes në gjykatë do të bëhet në këtë godinë.
Ky është blloku i sigurisë, godina më e re e policisë së shtetit e cila do të presë personat e shoqëruar apo të arrestuar para se të dalin në gjykatë për masë sigurie.
Godina e ndërtuar pranë paraburgimit 302 në rrugën “Mine Peza” është drejt përfundimit, ndërsa burime pranë policisë thanë se do të shërbejë për dhomat e shoqërimit të të gjitha komisariateve të Tiranës. Diçka e tillë bëhet pasi jo pak herë si në rastin e protestave komisariatet nuk kanë pasur kushte akomodimi për të gjithë të shoqëruarit.
Ndërtimi pritet t’i japë zgjidhje dhe kushteve të ambienteve të shoqërimit në kryeqytet si dhe mungesës së kapaciteteve për disa komisariate të veçanta apo dhe kushteve higjienike të tyre.
Blloku i sigurisë është i ndarë në 5 kate me një sipërfaqe totale prej 746 metrash katrorë, ndërsa mësohet se do të ketë staf të veçantë, kamera sigurie për monitorimin e punës së punonjësve të policisë, por edhe dhoma intervistimi të të shoqëruarve apo arrestuarve.
Në ndërtesë krahas dhomave të sigurisë të cilat mendohet se do të jenë më shumë se 20 është parashikuar dhe një dhomë infermierie. (A2 Televizion)