Mbledhja e Këshillit Politik mbyllet sërish pa dakordësi, Gjiknuri: Opozita jashtë parlamentit vijon me qëndrim bllokues

Nga A2 CNN
28 Korrik 2020, 15:23 | Politikë
Mbledhja e Këshillit Politik mbyllet sërish pa dakordësi,

Kur jemi vetëm dy ditë larg nga seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar, atje ku pritet të votohen ndryshimet kushtetuese dhe hapja e listave të deputetëve, është mbajtur sërish mbledhja e Këshillit Politik për të diskutuar mbi këto ndryshime.

Megjithatë, edhe në këtë mbledhje duket se nuk ka pasur dakordësi mes palëve dhe kjo u konfirmua edhe nga përfaqësuesi i mazhorancës në këtë tryezë, Damian Gjiknuri, i cili u shpreh se opozita jashtë parlamentit vijon me qëndrimin e saj bllokues.

“Pas një mbledhje të gjatë, fatkeqësisht opozita jashtë parlamentit ndodhet në të njëjtat qëndrime bllokuese, me qëllim të bllokimit të implementimit të kushtetutës. Ata nuk japin asnjë argument përtej kushtit që thonë se duan që koalicionet të mos ndryshojnë. U konstatua se amendimet kushtetuese nuk pengojnë as hapjen e listave 100% dhe as çështjen e koalicioneve që rregullohen në kodin zgjedhor. Partia Demokratike ka qëllim bllokimin dhe zvarritjes për të mos e bërë të mundur këtë arritje”, tha Gjiknuri.

Ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentit, Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI, u shprehën të vendosur se nuk do të lejojnë ndryshimin e njëanshëm të kushtetutës, ashtu siç ata e quajnë.

“Në këtë mbledhje kërkuam që mazhoranca të shprehet në parim nëse është dakord që të ecet me propozimin që të hapen 100% listat e kandidatëve, duke ruajtur të paprekura koalicionet, por u ndeshëm me refuzim nga PS, të cilët nuk kanë ndryshuar asnjë centimetër pozicionin e saj për ndryshimin e njëanshëm të kushtetutës. Por këto veprime do të prishin marrëveshjen e 5 qershorit. Ne kërkuam një amendament të përbashkët për hapjen e listave dhe këtë ta bëjmë me ekspertizën ndërkombëtarë”, tha Bylykbashi.

Ndërsa deputetja Rudina Hajdari deklaroi se kishte marrë garancinë nga mazhoranca se listat e kandidateve do të hapen 100%, duke ndërhyrë në Kodin Zgjedhor, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Për këtë fazë të dytë, Hajdari tha se ishte e gatshme të bashkëpunonte edhe me Partinë Demokratike, për të adresuar shqetësimet e saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos